Bota

“Zëri”: Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë të pashmangshme

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme nacionale gjatë këtij viti në Kosovë duket një proces i pashmangshëm, pavarësisht faktit se partnerët e koalicionit qeverisës insistojnë se këtë vit do të ketë zgjedhje lokale, ndërsa ato parlamentare do të mbahen gjatë vitit tjetër, shkruan e përditshmja “Zëri”.

zgjedhje

Kadri Veseli, kreu i partisë më të madhe në vend (PDK), dhe njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se fundi se në zgjedhje të parakohshme mund të shkohet vetëm nëse ekziston një marrëveshje midis pozitës dhe opozitës, e jo, siç ka deklaruar ai, për shkak të presioneve të kësaj të fundit.
“Prandaj, si drejtues i partisë kryesore në vend, mund t’ju them se opozita nuk do ia dalë që të na detyrojë ne që të heqim dorë nga mandati që na ka dhënë populli me një shumicë dërmuese votash. Zgjedhjet mund të bëhen para kohe vetëm në momentin kur ka një marrëveshje politike pozitë-opozitë”, ka deklaruar për medie Veseli.

Në anën tjetër, subjekti më i madh opozitar në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), nuk sheh opsion tjetër këtë vit përveç zgjedhjeve. Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm në këtë subjekt politik, Teutë Rrusta, ka vlerësuar se pavarësisht deklaratave të Veselit, vendi do të shkojë në zgjedhje. “Duke folur për marrëveshje, pozita mundohet që t’i fshehë temat të cilat e kanë sjellë vendin në gjendje të paqëndrueshme politike, ekonomike e sociale”, ka deklaruar ajo.

Rrusta thekson se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, siç thotë ajo, vendi domosdoshmërish duhet të orientohet në këtë rrugë. “Janë domosdoshmëri duke pasur parasysh qe kemi një Qeveri dhe një kryeministër që, në njërën anë kanë degraduar edhe më shumë kushtet në të cilat jetojnë qytetarët. Nuk ka përparim në fushat kryesore të vendit”, ka deklaruar Rrusta.

Kurse elementi i tretë siç vlerëson Rrusta, për shkuarjen e parakohshme në zgjedhje është kushtëzimi i Qeverisë nga Lista Serbe. “Është edhe një element i tretë pse kjo Qeveri e ka të pamundur që të vazhdojë qeverisjen e vendit. Isa Mustafa është kryeministër i kushtëzuar nga Beogradi përmes Listës “Srbska”. Një Qeveri e Kushtëzuar dhe që mirëmban ato marrëdhënie nuk mund të Qeverisë në dobi të vendit”, ka përfunduar Rrusta.