Bota

Reagime ndaj fjalimit të Trampit në KB

Presidenti amerikan, Donald Tramp haptazi u kanos me “shkatërrimin e plotë” të Koresë së Veriut me 25 milionë banorë, ndërsa reagime për fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara vijnë nga e mbarë bota.

tramp

Pheniani zyrtar akoma nuk ka reagim ndaj kanosjes së Trampit, por një numër i madh i liderëve botërorë e dënuan retorikën e tij luftarake.

Në fjalimin e tij, presidenti amerikan e dha vizionin e tij për një botë që përbëhet prej shteteve sovrane të cilat punojnë për të mirën e qytetarëve të tyre, por pjesa më e madhe e fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së iu përkushtua sulmit të “regjimeve të këqija” – Koreja e Veriut, Irani dhe Venezuela.

“Ishte fjalim i gabuar, në kohë të gabuar dhe para një publiku të gabuar”, vlerësoi ministrja suedeze e Punëve të Jashtme, Margot Valstrom.

Kryetari i Austrisë, Aleksandar van der Belen e kritikoi presidentin amerikan, duke vlerësuar se është duke punuar për t’i shpallur luftë Bashkimit Evropian. Ai theksoi se është i brengosur për “theksimin e prapambetur të shteteve”, në fjalimin e Trampit.

Për Trampin situata e keqe në Venezuelë është “tërësisht e papranueshme”. Ai theksoi se SHBA-ja nuk mund të qëndrojë anash dhe të shikojë. Paralajmëroi se SHBA-ja është duke shqyrtuar hapa të mëtejme.

Ministri i Punëve të Jashtme i Venezuelës, Horhe Araeza i hodhi poshtë kanosjet e Trampit.

“Ai nuk është president i botës… ai nuk mund të menaxhojë as me Qeverinë e tij”, porositi ministri venezuelian.

Një prej liderëve të rrallë i cili e mbështeti retorikën e Trampit është kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili vlerësoi se marrëveshja me Iranin duhet të ndryshohet ose të prishet në tërësi.

Në analizën e “Gardian” theksohet se fjalim të tillë në Asamblenë e përgjithshme të KB-së deri më tani nuk ka mbajtur asnjë president amerikan.

Në analizë theksohet edhe se deri më tani nuk ka pasur kanosje të hapura me “shkatërrim të plotë”, ndërsa është interesant ajo se Tramp nuk e ka drejtuar kanosjen drejt regjimit të diktatorit koreanoverior Kim Xhong-un, por ndaj gjithë shtetit, në të cilin jetojnë mbi 25 milionë njerëz.

“Gardian” si moment interesant e thekson edhe atë se kanosjet Tramp i dha vetëm disa minuta pasi sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh apeloi për “retorikë të qetë”.