Bota

Policia italiane vjet ka konfiskuar 41,6 tonë marihuanë nga Shqipëria

Drejtoria Qendrore për Shërbimet e Antidrogës në Itali publikoi raportin e saj për vitin 2016, ku vlerësohet një rritje e ndjeshme e trafikut të marijuanës në të dy anët e Kanalit të Otrantos, mes Shqipërisë dhe Italisë, njofton Top Channel.

marihuan

Raporti vlerëson se, vitin e kaluar është vënë re një rritje e ndjeshme e sekuestrimeve të marijuanës, në 41.6 tonë, apo gati 347.15% më shumë në krahasim me vitin 2015.

Sipas dokumentit, rritja është në kontrast absolut me vitin e shkuar, kur kishte më pak aktivitet në trafikun e narkotikëve.

Të dhënat e Antidrogës italiane flasin për një bashkëpunim të grupeve të krimit të organizuar, shqiptare dhe italiane, të cilat shfrytëzojnë pozitën e veçantë gjeografike të rajonit.

Sipas raportit, ky rajon është në qendër të rrugëve kryesore të Mesdheut, në veçanti Ballkanit, ku është përqëndruar kohët e fundit trafiku i marijuanës nga Shqipëria. Ai tregon po ashtu se Italia është ndër konsumatorët më të mëdhenj të marijuanës në Europë, duke u renditur pas Francës me rreth 19% të të rinjve nga mosha 19-34 vjeç.

Pjesa më e madhe e marijuanës u dërgua përgjatë vitit 2016 nga Shqipëria, me gomone nga rajoni i Vlorës, apo përmes automjeteve kryesisht nga Porti i Durrësit.