Bota

Pesë të lënduar dhe 10 marinarë të zhdukur nga përplasja e anijes ushtarake amerikane dhe një cisterne

Dhjetë marinarë llogariten të zhdukur, ndërsa pesë persona janë lënduar, pasi që sot një anije ushtarake amerikane u përplas me një anije tregtare në lindje të Singaporit, njoftuan forcat ushtarako-detare të SHBA-së, njoftoi BBC.

133822655

Katër prej pesë të lënduarve janë transferuar menjëherë me helikopter në spitalin në Singapor dhe janë jashtë rrezikut të jetës.

Marina ushtarake tha se luftanija, USS John S. McCain, u përplas me anijen-cisternë të naftës, Alnic MC, në orët e para të mëngjesit.

“Raportet e para paralajmërojnë se anija, John S. McCain, ka pësuar dëme”, thuhet në kumtesën e Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe theksohet se “kërkimi dhe përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë në koordinim me autoritetet lokale”.

Presidenti amerikan Donald Tramp shkroi në Twitter se mendimet dhe lutjet e tij janë me marinarët e anijes ushtarake amerikane.

Ky është incidenti i dytë në të cilin përfshihet një luftanije amerikane gjatë dy muajve të fundit në Paqësor.

Më 17 qershor shtatë marinarë humbën jetën kur luftanija, USS Fitzerald, dhe një anije transportuese, u përplasën në Detin e Japonisë.