Bota

Kuvendi i Shqipërisë me 75 vota pro voton kundër arrestimit të Tahirit

Deputeti dhe ish ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, nuk do të arrestohet, përballë akuzave nga Prokuroria për Krime të Rënda, si i përfshirë për trafik të lëndëve narkotike, njofton ATSH.

kuvendishqiptare

Kuvendi i Shqipërisë hodhi në votim të hapur dy raportet nga opozita dhe mazhoranca përballë kërkesës së Prokurorisë për arrestimin ose jo të deputetit Saimir Tahiri.

Me 75 vota pro dhe 60 kundër është miratuar raporti i mazhorancës, që kërkon vetëm hetimin, dhënien e garancisë pasurore, kontroll banese, por jo arrestimin e ish-ministrit.

Në sallë kanë qenë të  pranishëm 134 deputetë.

Paraprakisht Tahiri pas fjalës së tij të shkurtër në Kuvend, tha se pavarësisht vendimit që do të merret ai do vazhdojë të kërkojë të vërtetën e tij dhe më pas u largua duke braktisur seancën.

“Nuk mund ta gjej të vërtetën këtu. Rruga ime për drejtësi nuk ndalet”, tha Tahiri.

Përpara se të niste votimi, deputeti demokrat, Flamur Noka deklaroi se dokumenti të cilin dje Saimir tahiri e paraqitur në konferencën për shtyp nuk ka numër protokolli, pra sipas tij është fals.

Deputeti dhe ish ministri i Brendshëm shqiptar, Saimir Tahiri dje publikoi para mediave një dokument nga prokuroria e Katanias, duke deklaruar se nuk ka asnjë procedim penal ndaj tij.