Bota

KB: Rreth 400 mijë persona janë kapur “në pritë” në Qytetin e vjetër të Mosulit

Rreth 400 mijë persona ndodhen në pritë të xhihadistëve nga grupacioni Shteti islamik në Qytetin e vjetër të Mosulit, kumtoi përfaqësuesi i Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatë (UNHCR) në Irak, Bruno Xhedo.

femije

Rreth 600 mijë persona ndodhen në rajone në pjesën perëndimore të qytetit Mosul, të cilët ende nuk janë marrë nga forcat irakiane (rreth 60 për qind e Mosulit perëndimor), ndërsa 400 mijë prej tyre janë në Qytetin e vjetër, theksoi Xhedo.

“Ata njerëz kanë nevojë për ushqim. Ata janë në panikë. Nuk kanë derivate, ushqim, energji elektrike. Njerëzit janë të detyruar të djegin mobilje, veshmbathje të vjetra, gjithçka, në mënyrë që të ngrohen gjatë natës, duke marrë parasysh atë se reshjet e rrëmbyeshme vazhdojnë dhe temperaturat në mbrëmje bien dukshëm”, shtoi ai.

Prej 19 shkurtit forcat irakiane përparojnë nga Mosuli jugor dhe morën disa lagje për t’iu afruar Qytetit të vjetër, i cili ndodhet në bregun perëndimor të lumit Tigër.

Sipas të dhënave të UNHCR-së prej 19 shkurtit deri më tani nga Mosuli perëndimor kanë ikur rreth 153 mijë persona. Mes tetë mijë dhe 12 mijë persona arrijnë çdo ditë në qendrën transitore Hamam al Alil, në jug të Mosulit.

Prej fillimit të ofensivës së forcave irakiane, të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar antixhihadist më 17 tetor të vitit të kaluar nga Mosuli kanë ikur 340 mijë persona. Rreth 70 mijë prej tyre janë kthyer në shtëpitë e tyre.