Bota

Demaj, shef i ri i diplomacisë kosovare

Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa solli vendim për emërimin e Emanuel Demajt ministër të ri të Punëve të Jashtme të Kosovës në pozitën e Enver Hoxhajt, i cili në zgjedhjet e fundit u zgjodh si deputet.

demaj

Demaj, sekretar i Partisë Shqiptare Demokristiane, ishte emëruar zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës në gusht të vitit të kaluar. Në këtë pozitë ai erdhi pasi partia e tij është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ky është vendimi i fundit prej një sërë vendimesh të Mustafës për emërimin e ministrave të rinj deri në formimin e Qeverisë së re.

Më datën 7 të këtij muaji Mustafa mori vendim për emërimin e katër ministrave të rinj në kuadër të Qeverisë së Kosovës.

Me atë vendim Mustafa ka emëruar ministër të Financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, ministre të Kulturës Rinisë dhe Sportit, shefen e deritashme të Stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ministër të Infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.

Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës.