Bota

Daçiq reagon për mbledhjen e radhës të OKB-së, ku do të diskutohet për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar pas lajmërimit se të mërkurën në Këshillin e Sigurimi të OKB-së do të mbahet një seancë kushtuar shtetit të Kosovës e që sipas tij është vetëm një seancë e rregullt, tremujore.

dacic

“Prishtina në mbledhje asnjëherë nuk e ka lënë pa thënë se Kosova duhet të hiqet nga rendi i ditës i KS-së së OKB-së dhe se Misioni i OKB-së në Kosovë është i panevojshëm, por kjo nuk do të ndodhë për shkak të miqve tanë, që kanë të drejtë të vetos – Rusisë dhe Kinës”, ka thënë Daçiq në Beograd në shënimin e 14 vjetorit të vrasjes së dy serbëve në Gorazhdevc, ku edhe ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi për viktimat serbe në Kosovë dhe se sipas tij ky do të jetë parimi kryesor udhëzues i Qeverisë së Serbisë në të ardhmen, transmeton Indeksonline.

Sipas tij takimi i radhës i Këshillit të OKB-së është i rregullt.

“Kjo është mbledhje e rregullt, megjithëqë fuqitë e mëdha së bashku me Prishtinën konsiderojnë se ato më nuk duhet të mbahen ose bile të mbahen më rrallë, një ose dy herë në vit”, ka thënë Daçiq.

Madje ai ka thënë se Serbia duhet të ketë llojin e miqve si Rusia dhe Kina.

“Për shkak të interesave tona kombëtare, ne duhet të jemi të kujdesshëm me miqtë tanë Rusinë dhe Kinën, dhe ne nuk duhet të ndërmarrim hapa që do të prishnin marrëdhëniet tona”, ka përfunduar Daçiq./