Sport

Sonte ndeshja historike për Shkëndijën e Tetovës ndaj Milanit në San Siro

Shkëndija e Tetovës sot do të ketë përballjen më të madhe në historinë e saj, përballë do të ketë skuadrën e AC Milan, shtatë herë fituese e Ligës së Kampioneve dhe fituese e shumë trofeve të tjerë botërorë si dhe kampione e shumëfishtë e Italisë.

milan-shkendija

Kuqezinjtë nga Tetova pas tre ditëve qëndrim në qytetin e Modës tani më janë ambientuar mirë në atmosferën e qytetit të Milanos, dhe me optimizëm po e presin ndeshjen e tyre të parë në kuadër të “Play Off-it” të Ligës së Evropës, shkruan “Portalb”.

Ndryshimet e shumta në këtë skuadër mund të jetë një shpresë e madhe për të shënuar një rezultat të mirë në stadiumin “San Siro”.

Shkëndija në këtë verë ka luajtur shtatë ndeshje, prej të cilave gjashtë në arenën ndërkombëtare dhe kjo po ashtu shihet si anë pozitive për tetovarët që e nisën mbarë edhe kampionatin vendor.

Sa për statistika vlen të përmendim se mesfushori i Shkëndijës, Besart Ibraimi pas mbylljes së fazës paraeliminatore për Liga Evropa, rezulton të jetë golashënuesi i tretë më i mirë. Ai në gjashtë ndeshje ka arritur të shënojë pesë gola dhe të jetë i renditur pas sulmuesit të Cërvena Zvezdës, Riçmond Boakoje që ka shënuar 7 gola.

Ndërkohë që Besart Ibraimi në statistikat evropiane e mban pozitën e parë në renditjen e futbollistëve me më shumë goditje drejt portës kundërshtare. Ai ka pasur 22 goditje, prej të cilave 10 kanë përfunduar drejt portës kundërshtare. Ndërkaq kapiteni i Shkëndijës, Ferhan Hasani është në “Top 10”, asistuesit për gjashtë ndeshjet e para. Hasani në gjashtë ndeshje ka pasur 3 asistime dhe po q gola të shënuar.
Skuadra e Milanit ka zhvilluar një seancë stërvitore me dyer te mbyllura para kësaj ndeshje. Trajneri Vincenco Montela në konferencën e rregullt për shtyp para ndeshjes për Shkëndijën tha se ka një stil të qartë të lojës, kanë lojtarë të talentuar siç është Ibraimi.

“Kundërshtari ynë është një ekip i mire organizuar, por ne duhet të përqëndrohemi në veten tonë dhe të fokusohemi në objektivin tonë. Gjithcka është në duart tona”, tha Montela duke shtuar se pret që ekipi i tij të jetë në formë të mirë dhe se kjo fazë është e rëndësishme për ta.
Montela qysh mbrëmë ka publikuar emrat e 20 futbollistëve nga të cilët 11 do të dalin përballë Shkëndijës.

Portier: A. Donnarumma, G. Donnarumma, Storari
Mbrojtje: Abate, Antonelli, Bonucci, Conti, Gabbia, Musacchio, Rodriguez, Zapata
Mesfushë: Bonaventura, Calhanoglu, Kessié, Locatelli, Montolivo
Sulmi: Borini, Cutrone, André Silva, Suso.
Ndeshja Milan – Shkëndija e vlefshme për “play offin” e Ligës së Europës zhvillohet sonte në ora 20:45 minuta. Kjo ndeshje do të drejtohet nga arbitri austriak Harald Lehner.