Sport

Shkëndija pret AC Milan, ja çfarë thotë trajneri Osmani

Skuadra e Shkëndijës organizoi konferencë për shtyp para ndeshjes së nesërme që do të luajë ndaj AC Milan. Në konferencë për shtyp morën pjesë trajneri tetovar Qatip Osmani dhe kapiteni Ferhan Hasani.

milan-shkendija

Edhe pse Shkëndija pësoi disfatë të thellë në ndeshjen e parë të luajtur një javë më parë në “San Siro” të Milanos, kësaj radhe deklaratat e trajnerit dhe kapitenit ishin se “kuqezinjtë” nga Tetova do të luajnë për prestigj.

Osmani ende nuk e ka të sigurtë nëse do të luajë kapiteni Hasani dhe Junior, të cilët ankohen nga lëndimet.

“Për Ferhan Hasanin do të vendosim pas treningut se ka ankesa për lëndim. Juniori gjithashtu ankohet, por do të vendosim nesër”. Nuk kemi frikë për rezultat të thellë si në lojën e parë. Jemi të mësuar tani me kundërshtarin dhe nuk besoj se do të ketë rezultat të njëjtë”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë kapiteni Hasani ka thënë se edhe përkundër disfatës së thellë në Milano ekipi nuk ka luajtur keq, por ishin të pafat.

“Nuk kemi qenë ne të këqij. Fati, kushtet, emocionet dhe gatishmëria jonë ndaj Milanit, ndikoi në rezultat”, është shprehur Hasani.

Ndeshja Shkëndija – Milani do të luhet nesër në stadiumin “Telekom Arena” në Shkup me fillim në orën 20:45.