Sport

Hysaj: Kombëtarja është e bashkuar

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është duke zhvilluar përgatitjet në Stamboll në kuadër të prag ndeshjes ndaj Izraelit, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “RUSI 2018”. Shqipëria po kalon një nga periudhat më të errëta të viteve të fundit duke pësuar humbje të njëpasnjëshme. Por pavarësisht kësaj, atmosfera në ekip është mjaft e mirë, të paktën kështu shprehet mbrojtësi Elseid Hysaj. Ai thekson se duhet të fitojmë në ndeshjen ndaj Izraelit për të heshtur kritikët.

elseid-hysaj-679491

“Është një moment i keq por këto gjëra ndodhin në futboll dhe duhet ti kalojmë. Kjo ndeshje e humbur në Luksemburg na ka vrarë më tepër se zakonisht. Tani duhet të kthehemi të jemi një grup fantastik, të qëndrojmë bashkë dhe të mendojmë për ndeshjen me Izraelin. Atmosfera në skuadër? Jemi grup fantastik, jemi të gjithë të bashkuar. Jemi gati të tregojmë vlerat tona në Izrael dhe duam të tregojmë se gabojnë ata që grupi është përçarë. Ne kemi qenë së bashku dhe të qeshur. Duhet ti rregullojmë gabimet që kemi bërë prej ndeshjes me Izraelin. Po luajmë mirë, por kur nuk fiton loja e mirë nuk shërben shumë. Por, duhet të krijojmë një lojë dhe një taktikë të tonën”, shprehet Hysaj. Mbrojtësi i Napolit shprehet se nuk mendon që ka përfunduar cikli fitues i kombëtares dhe se trajneri De Biasi nuk do të largohet nga drejtimi i skuadrës pas ndeshjes me Izraelin.

“Trajneri e ka bërë punën e tij, por edhe ne e kemi bërë punën tonë. Tashmë të gjithë bashkë duhet ti tregojmë botës se kush jemi edhe të fitojmë. Të gjithë kemi ambicie, pas Europianit të gjithë do të dëshironim të shkonim në Rusi. Duhet të mendojmë për të ardhmen për një tjetër kualifikim. Fundi i ciklit në Kombëtare? Kjo është fjalë shumë e madhe, sepse fundi i një cikli do të thotë fundi i një skuadre. Ne jemi ende këtu, kemi shumë lojtarë të rinj. Besoj që cikli nuk ka mbaruar, por sapo ka nisur. Mediat italiane De Biasi ikën pas Izraelit? Nuk i lexoj këto lajme. Në Itali flitet shumë për këdo, për futbollistët.

Për mua thanë që do të ikja te Barcelona, por nuk është e vërtetë. Nëse do të largohej trajneri do të na e thoshte, por ai nuk na ka thënë gjë dhe nuk besoj se është e vërtetë”, thekson Hysaj. Mbrojtësi kërkon vetëm fitoren ndaj Izraelit për të mbyllur me sukses këtë sezon dhe se çështja e shiritit të kapitenit nuk përbën problem për të. “Për mua është finalja e vitit. Sepse pas fundit të kampionatit, mbyllet edhe sezoni. Dëshiroj ta mbyll me një fitore për ta mbyllur të qetë dhe të gëzuar. Kam besim te skuadra, te vetja te trajneri dhe të të gjithë. Do të shkojmë për fitore në Izrael dhe pas ndeshjes do të flasim sërish. Cili do të jetë kapiten? Shiriti nuk është problem. Kushdo që ta ketë… Thjesht duhet të hyjmë në fushë dhe të japim 100 për qind. Po flitet shumë për atë shirit kapiteni, por shiriti i vërtetë është fitorja”, shprehet Elseid Hysaj.

Mesfushori i kombëtares Burim Kukeli është i mendimit që në ndeshjen e radhës duhet patjetër fitorja për të tentuar të kapin vendin e tretë çka është edhe objektivi i kuqezinjve. “Nuk jemi të ngopur edhe pse arritja në europian ishte një sukses shumë i madh. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin për kombëtaren, por tashmë misioni bëhet i vështirë dhe duhet të arrijmë vendin e tretë sepse për ne vlen shumë. Në futboll gjithçka është e mundur dhe këtë e kemi treguar me fitoren në Portugali. Do të mundohemi të bëjmë një hap përpara dhe nëse fitojmë në Izrael do të jemi në rrugën e duhur”, shprehet Kukeli. Ai është i bindur për situatën ku ndodhet ekipi por beson te një tre pikësh ndaj rivalit të ardhshëm.

“Është moment shumë i vështirë sidomos pas 5 humbjeve. Nuk e kemi pritur as ne, por mundohemi të japim maksimumin. Jemi gati, mendoj se tani në lojë me Izraelin i vetmi shans është fitorja që t’i afrohemi vendit të tretë. Shpresoj që të jemi të gjithë gati për të marrë fitore”, thekson mesfushori. Në lidhje me ndryshimin e pozicionit ai shprehet se nuk përbën asnjë problem. “Edhe në Europian kam luajtur qendërmbrojtës. Është një pozicion që di ta bëj sepse nuk ka shumë ndryshim me pozicionin tim. Është interesante për mua sepse asnjëherë nuk është vonë të mësosh gjëra”, përfundon Kukeli.