Sport

Dembele gëzon: Rikthehem për 2 muaj

Pas 2 humbjeve në Superkupën e Spanjës ndaj Realit të Madridit, Barcelona numëron vetëm fitore.

dembele

Blaugranat kryesojnë bindshëm La Ligan pas 5 javëve të para ndërsa e kanë nisur në mënyrë të shkëlqyer edhe aventurën e tyre në Champions League me një fitore fantastike ndaj Juventusit. Me Lionel Messin që po i mahnit të gjithë me paraqitjet e tij në Katalunjë nuk ndihet më as mungesa e Neymar që u transferua te Paris Saint Germain. Lajmi i vetëm i keq për Barcën në këtë fillim sezoni ka qenë pikërisht dëmtimi i sulmuesit të talentuar Ousmane Dembele i cili u afrua në Camp Nou pikërisht për të zëvendësuar brazilianin. Francezi pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen e fundjavës së kaluar në La Liga ndaj Getafes dhe diagonozat e para përcaktuan se Dembele do të mungojë deri në Janar të 2018-tës. Por në një moment kur Barcelona po shkëlqen në fushë lajme të mira vinë edhe nga infermieria për skuadrën blaugrana. Pas mbështetjes që mori nga shokët e skuadrës përpara sfidës ndaj Eibarit ku futbollistët e Barcelonës zbritën në fushë me fanella me mbishkrimin “Kurajo Ousmane”, Dembele me një postim në profilin e tij zyrtar në instagram ka bërë të lumtur drejtuesit, stafin teknik por edhe të gjithë tifozët e Barcës. Blerja më e shtrenjtë e historisë së Barcelonës i ka falenderuar të gjithë për mbështetjen ndërsa në të njëjtën kohë ka shfaqur të gjithë optimizmin e tij se ndihet mirë pas operacionit dhe do të kthehet në fushat e futbollit pas vetëm 2 muajsh. Mesa duket faza e  rehabilitimit për talentit francez do të zgjasë më pak sesa parashikohej.