Sport

Cikalleshi tregon si mund të dalë Shqipëria nga kriza

Cikalleshi beson se ndeshja ndaj Izraelit është mundësi e mirë që Kombëtarja shqiptare t’i lë pas rezultatet negative.

ci_1497016415-2083045

Sulmuesi kavajas, Sokol Cikalleshi, tregon mënyrën sesi Kombëtarja shqiptare mund të dalë nga kriza e rezultateve, pas 5 humbjeve radhazi dhe ndryshimi synohet prej sfidës së të dielës në Izrael.

“Kombëtarja në vitet e fundit dhe me arritjen në Evropian, ka bërë ndeshje spektakolare dhe mjaft të mira. Duhet të rikujtojmë që gjithmonë rezultatet tona kanë qenë minimale. Ne jemi Kombëtare e vogël: vetëm puna në grup dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit na çojnë aty ku arritëm. Ecuria e fundit nuk ka qenë e mirë, por kemi pasur edhe rivalë të fort si Italia dhe Spanja. Pa u justifikuar, e kemi humbur disi agresivitetin e përpara Evropianit. Humbja me Luksemburgun na dogji, por kështu e ka futbolli. Ndeshja me Izraelin është perfekte për ta ndryshuar situatën. futbolli të jep shanse të tjera dhe ky është shansi ynë”, tha ai.

“Duhet të pranojmë që duhet të bëjmë më tepër brenda fushës. E kemi pranuar publikisht dhe privatisht. Si një Kombëtare e vogël në krahasim me ekipet e tjera evropiane, e kemi treguar këtë ndeshje pas ndeshje. Vetëm kështu arrijmë rezultate pozitive. Izraeli është shansi ynë më i mirë. Jam i sigurt se lojtarët do të japin më tepër se 100 për qind edhe urojmë për rezultat pozitiv”, shtoi Cikalleshi, shkruan Super Sport.

Në gjysmën e dytë te sezonit, Cikalleshi i rikthye protagonist në Superligën turke me Akhisarin, duke realizuar 7 gola. Megjithatë, mungesa e golit ndihet disi në Kombëtare.

“Në klub është më ndryshe, sepse skema është më sulmuese dhe shanset për gol janë më të shumta. Sigurisht edhe në Kombëtare, pavarësisht se luajmë vetëm me një sulmues, kjo është mundësia më e mirë për rezultate pozitive. Një sulmues matet me gola, por në Kombëtare përveç paraqitjeve të mira, shpesh më kanë penalizuar shtyllat. Nuk dua të justifikohem me çështjen e fatit, por vazhdoj me profesionalizëm, ashtu si ndodhi në klub, me ndeshje të mira dhe gola. Uroj që të ndodhë edhe këtu. Do të jap më të mirën si në fushë, ashtu edhe jashtë. Kështu është futbolli, duhet pranuar me të gjitha gjërat që të ofron. Shpresoj që në Izrael të shënoj. Parësor është të fitojë ekipi, më pas nëse shënoj do të isha më i lumtur.”

Me sezonin e rregullt që ka përfunduar, lojtari duhet të zgjidhë edhe situatën rreth së ardhmes. Akhisari kërkon ta mbajë, edhe pse huazimi nga Basaksehir përfundoi, ndërsa për sulmuesin kuqezi është interesuar edhe Besiktasi.

“Te Basaksehiri nuk është se ishin të pakënaqur me mua. Në sezonin e parë realizova 13 gola. Në sezonin e dytë, fillimi ishte disi i vështirë dhe më mungonin minutat. Në fund të Janarit vendosa të lëvizja, pasi doja një skuadër ku të luaja. Jam shumë i kënaqur me mundësinë që më krijoi Akhisari. E ardhmja dhe kontrata me Basaksehir? Sipas kontratës jam sërish pjesë e Basaksehirit. Por, nuk do të thoja që kjo është përfundimtare. Personalisht dua të jem sulmuesi kryesor i ekipit. Duke qenë se atje është Adebayor, një lojtar i nivelit botëror, situata është e vështirë. Nuk dorëzohem, sepse statistikat e mia në gjashtë muajt e fundit tregojnë që kam shënuar më tepër gola se Adebayor”, përfundoi sulmuesi i Kombëtares.