Republika

Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Gostivar shënoi patronatin dhe Ditën e Flamurit

Këngë për 28 Nëntorin, ditën e Flamurit, valle me motive kombëtare, recitale kushtuar Shqipërisë dhe Flamurit kombëtar. Me program të begatë kulturor dhe artistik të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit, Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Gostivar shënoi patronatin dhe ditën e Flamurit kombëtar, 28 Nëntorit.

skola

Në këtë eveniment të organizuar nga drejtoria e shkollës, i pranishëm ishte kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i shoqëruar nga shefi i kabinetit, Bashkim Hasani dhe drejtuesit e Departamentit për Arsim, Kulturë dhe Sport.

“Sot është një ditë e veçantë për shoqërinë shqiptare. Është dita e krijimit të shtetit shqiptar. Kjo datë historike na solli në fitore të reja. Kemi krijuar shtetin e dytë, kurse ne në Maqedoni punojmë për barabarësi të plotë. Të gjitha shkollat e Komunës së Gostivarit organizojnë manifestime për Ditën e flamurit, por unë zgjodha të jem në mesin tuaj, sepse, shkolla e juaj e mban emrin e njeriu që solli dritë në shoqërinë shqiptare, themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemali”, tha mes të tjerash Bejta.

Me rastin e patronatit të shkollës fillore “Ismail Qemali”, drejtoria kishte ftuar veteranët e arsimit dhe bashkë me mësimdhënësit në detyrë morën pjesë në një koktej modest të mbajtur në sallën e mësimdhënësve.