Republika

Mos-zgjedhja e kreut të komunës, protestë në Bogovinë

“Alo Qeveria”, “mos luani me dinjitetin e arsimtarëve”, “pa arsim s`ka zhvillim”, këto ishin disa nga parullat që u shpalosën në protestën e sotme para komunës së Bogovinës, të organizuar nga Sindikata e Arsimtarëve dhe punëtorëve shkencorë për të shprehur pakënaqësinë për vonesën e zgjedhjes së kreut të ri të Komunës.

screenshot_1

Arsimtarët shprehen të revoltuar, dhe kërkojnë nga këshilltarët që të lënë anash inatet politike.

Përfaqësuesit e SASHK-ut thonë se janë të revoltuar nga moszgjidhja e ngërçit politik në këtë komunë, i cili ka shkaktuar probleme serioze për arsimtarët dhe administratën nëpër shkollat. Protestuesit kërkojnë nga qeveria që urgjentish të marrë masa për zgjedhjen e kësaj situate, ndërsa akuzojnë autoritetet lokale se kanë lënë në harresë gjendjen e punonjësve, duke u marrë me inatet në mesin e tyre.

-Apelojmë që qeveria urgjentisht të merr masa për zgjidhjen e situatës dhe lus kryetarin e këshillit komunal dhe këshilltarët komunal që të lënë inatet mes veti dhe të merren me hallet tona. dhe të mos e mendojnë si pronë të veten këtë vend dhe të luajnë me ne, se ato kanë përfituar nga duarët tona. inatet politike dhe individuale le ti tregojnë në mejdan, e jo me bllokimin e 500 familjeve, deklaroi Teuta Sejfullai nga SASHK.

Protestat pritet të vazhdojnë edhe ditët në vazhdim, ndërkohë që, nëse problemi nuk zgjidhet shpejt, nuk përjashtohet mundësia për radikalizmin e tyre.

Një ditë më parë këshilli i komunës së Bogovinës për të dytën herë dështoi që të zgjedh ushtruesin e detyrës kryetar komune, shkaku i inateve politike mes këshilltarëve. Gjatë ditës pritet njoftim i ri për mbajtjen e seancës së këshillit të komunës.