Rajoni

Takohen Albin Kurti e Behgjet Pacolli

Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, e cila si befasi solli Vetëvendosjen me dyfishim votash, kanë nisur kalkulimet e mundshme për koalicione paszgjedhore, meqenëse asnjëra parti e as koalicion parazgjedhor nuk ka numrat e mjaftueshëm për të formuar qeverinë e re.

pacolii-640x430

I pari që ka nisur takimet është Behgjet Pacolli, presidenti i Aleancës Kosova e Re, i cili ka hyrë në koalicion parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Media merr vesh se Pacolli është takuar sot me kandidatin për kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin.

Nga burime brenda VV-së, kuptohet se takimi është iniciuar nga vet Pacolli. Portali nuk ka mundur të konfirmoj nëse është arritur ndonjë marrëveshje konkrete mes Kurtit e Pacollit për ndonjë koalicion të mundshëm.

VV-ja dhe AKR-ja patën zhvilluar negociata intensive edhe përpara zgjedhjeve dhe koalicioni ishte afër, mirëpo, në momentet e fundit, AKR-ja bashkë me Pacollin nënshkruan koalicionin parazgjedhor me LDK-në.

Ndërsa, një koalicion i mundshëm po përflitet edhe mes VV-së dhe LDK-së. Vullnet të mirë për këtë koalicion kanë shprehur disa prej anëtarëve të kësaj të fundit, duke e refuzuar kategorikisht një koalicion të sërishëm me PDK-në, apo koalicionin PAN.