Maqedoni

ZYRTARE: BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët i publikuan propozimet për zëvendësministra

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët i kumtuan emrat e kandidatëve për zëvendësministra në qeverinë e Republikës së Maqedonisë.

qeveri

BDI-ja do t’i ketë vendet e zëvendësministrave në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, Financave dhe Arsimit dhe Shkencës, ndërsa nga Aleanca për Shqiptarët zëvendësministra do të ketë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Transport dhe Lidhje dhe Punë dhe Politikë Sociale.

Për zëvendësministër të Punëve të Brendshme u propozua Agim Nuhiu, zëvendësministër i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, zëvendësministre e Financave, Shyrete Elezi dhe zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu.

Nga Aleanca për Shqiptarët për zëvendësministre e Punëve të Jashtme u propozua Arta Toçi, i Transportit dhe Lidhjeve, Remzi Mehmeti dhe i Punës dhe Politikës Sociale, Elmi Aziri.

Propozimet për zëvendësminsitra duhet të shqyrtohen dhe pranohen në seancë qeveritare, pas çka vijon verifikimi i tyre në seancë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.