Maqedoni

ZL2017/Grubi: Do t’i realizojmë në tërësi programet parazgjedhore, koalicioni ASH-BESA, koalicion për shpëtim individual

Njëqind mijë herë jemi falënderues ndaj qytetarëve që zgjodhën numrin tre dhe votuan për kandidatët për Bashkimin Demokratik për Integrim ka thënë deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Artan Grubi, në emisionin debativ “Click Plus” në Tv 21, duke shtuar se partia e Ali Ahmetit vazhdon të fitojë gjithandej, madje duke rritur numrin e votave në gjithsej 100 mijë.

grubi

“Bisedimet për koalicionin BDI-LSDM kanë filluar që në korrik, qershor… dhe gjithçka ka qenë transparente. Kjo është arsyeja që, më 15 tetor, qytetarët vendosën dhe mbështetën fuqishëm BDI-në”, tha Grubi, duke shtuar se edhe votat për këshilltarë tregojnë, siç thotë, se BDI mbetet partia më e madhe në elektoratin shqiptar.

“Edhe numrat flasin për mbështetje të madhe ndaj BDI-së, sepse në zgjedhje lokale mbështetja e një partie shihet nga votat e këshilltarëve. Votat e këshilltarëve sërish tregojnë se BDI mbetet partia me mbështetjen më të madhe tek shqiptarët”, është shprehur Grubi.

Kur flasim për numrat, ka shtuar ai, duhet të jemi korrekt, sidomos tek Lëvizja BESA, e cila, siç ka thënë, i humbi mbi 10 mijë vota në zgjedhjet lokale në rrethin e parë dhe me gjasë, shton, humbja do thellohet.

“Është e natyrshme që partnerët e koalicionit të vazhdojnë koalicionet, ndërsa ju (BESA) i keni lidhur flamujt bashkë me protestuesit maqedonas dhe protestonit bashkë me LSDM-në. Pse tani duhet të jetë i pakuptimtë koalicioni BDI-LSDM, ndërsa para pak muajve, pikërisht ju të BESËS ishit krah më krah me LSDM-në?”, pyeti Grubi përfaqësuesin e Lëvizjes BESA, Skender Rexhepi.

Grubi është shprehur i sigurt se BESA të dielën, në rrethin e dytë nuk do të fitojë asnjë komunë, derisa BDI, siç tha ai, do të fitojë të gjitha komunat që janë në balotazh me koalicionin LR-PDSH-BESA. Grubi ka folur edhe për koalicionin LR-PDSH-BESA, ndërsa tha se ky koalicion ka mbështetjen edhe të VMRO-së.

“Është e vërtetë se lideri Ali Ahmeti dhe gjithë ne në BDI, kemi thirrur të bashkohet opozita me qëllim që të mos përçahet vota shqiptare, ashtu siç ndodhi më 11 dhjetor 2016, kur humbëm nëntë deputetë shqiptarë. Bashkimi kapital i votave është për ta shpëtuar votën shqiptare dhe jo për të luftuar kandidatët shqiptarë të BDI-së.Ju bashkoheni për ta luftuar Teuta Arifin, për ta luftuar Nevzat Bejtën, Ramiz Merkon, Visar Ganiun… ky koalicion është për shpëtim individual”, tha Grubi, ndërsa shtoi se koalicioni i rrethit të dytë ASH-BESA, po mbështetet nga VMRO, pasi kjo tashmë është vërejtur edhe nga krerët e LSDM-së.

Kandidatët tanë, potencoi më tej ai, kishin programe të jashtëzakonshme për çdo komunë, projekte konkrete dhe zgjidhje të problemeve në secilën komunë.

“Koalicioni BDI-LSDM është koalicion për vlera euroatlantike, koalicion për një bashkëjetesë shqiptaro-maqedonase, për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit… madje, jemi më shumë sesa koalicion, me program njëjtë sikurse Program i qeverisjes LSDM-BDI në Qeveri, ashtu siç parashihej barazia gjuhësore, siç parashihej kryetari shqiptar i Parlamentit, parashihej shkarkimi i kryeprokurorit Marko Zvërlevskit”, tha Grubi.

Ofertën, potencoi Grubi të cilën e kanë vlerësuar dhe e kanë mbështetur më 15 tetor, qytetarët do ta konfirmojnë të dielën, dhe shprehet i bindur se BDI do të fitojë në të gjitha komunat.

“BDI absolutisht i kërkon të gjitha votat e elektoratit shqiptar, maqedonas dhe të gjitha etnitetit, përveç votat e VMRO-së, ka thënë deputeti i BDI-së, Artan Grubi në emisionin “Click Plus” në TV21, ndërsa ka shtuar se në katër vitet e ardhshme të pushtetit lokal, BDI do të punojë për realizimin në tërësi të programeve parazgjedhore.

“Se do të fitojmë, flet edhe fakti që kandidatët për kryetarë të BESËS, nuk guxuan të japin dorëheqje nga postet e deputetit”, tha Grubi.