Maqedoni

Maqedonia pa ambasadorë në 18 shtete

Presidenti i shtetit vazhdon të refuzojë akreditimin e kandidatëve, ndërsa nga Qeveria qetësojnë duke u shprehur se kryeministri Zoran Zaev është në kontakte me presidentin Gjorgje Ivanov dhe se shumë shpejtë, mosmarrëveshjet do të zgjidhen.

mpj

Maqedonia nuk ka ambasadorë në Bruksel, Londër, Paris, Oslo, Talin, Varshavë, Bukuresht, Bern, Madrid, Pekin, Pragë, Podgoricë dhe Zagreb, shkruan gazeta KOHA.

Për momentin janë 13 pozita të lira të ambasadorëve, prej të cilëve 12 janë në shtetet e Evropës, një në Kinë dhe tre pozita konsullore. Për më shumë se dy vjet, Maqedonia ka mbetur pa ambasador edhe në Misionin e BE-së dhe në Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Presidenti i shtetit vazhdojë të refuzojë akreditimin e kandidatëve, ndërsa nga Qeveria qetësojnë duke u shprehur se kryeministri Zoran Zaev është në kontakte me presidentin Gjorgje Ivanov dhe se shumë shpejtë, mosmarrëveshjet do të zgjidhen.

Mirëpo, në Qeveri askush nuk është në gjendje të tregojë se sa ambasador do tu takojnë partnerëve shqiptarë në koalicionin qeverisës, megjithëse thuhet se rëndësi të veçantë do t’i kushtohet faktit që ambasadorët e emëruar, të kenë karrierë diplomatike dhe të jenë profesional e jo të jenë kuadro partiake. Për momentin, detyrën e ambasadorit e kryejnë vetëm dy shqiptarë, ndërsa nga 60 gjithsej sa është numri i përgjithshëm i ambasadorëve – 12 duhet të jenë shqiptarë.

Aktualisht, ambasador shqiptarë kemi në Kopenhagë dhe Konsullin e Çikagos. Ndërkohë, me ndryshimet e fundit të Ligjit për Punë të Jashtme, në dhjetor të vitit 2015, një e treta nga numri i përgjithshëm i shefave diplomacisë emërohen nga radhët e nëpunësve diplomatik me njohuri të larta diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Njëkohësisht, një e treta e diplomatëve të huaj duhet të jenë personalitete të shquara shkencore dhe kulturore nga fusha e politikës së jashtme si dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.