Maqedoni

Lëvizja BESA nuk do ta mbështesë Talat Xhaferin për kryetar të Kuvendit

Lëvizja BESA e vlerëson si propozim të imponuar kandidaturën e Talat Xhaferit të BDI-së për kryetar Parlamenti të mbështetur edhe nga LSDM-ja dhe Alenca për shqiptarët. Për këtë shkak, deputeti i BESËS, Afrim Gashi, përmes një pres konference tha se Lëvizja BESA nuk do ta përkrah kandidaturën e Talat Xhaferit.

Besa-logo-780x439

“Përkitazi me propozimin e treshes LSDM-BDI (Aleanca), që sot është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, që Talat Xhaferi të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit të R. së Maqedonisë, Lëvizja BESA e njofton opinionin se nuk do ta mbështesë një kandidaturë të këtillë për faktin e thjeshtë se ky është një propozim i imponuar. Në fakt, ashtu siç kemi njoftuar më parë, ne e kemi pasur propozim-kandidatin tonë me kredibilitet dhe pa bagazhe korrupsioni, krimi e shkelje të ligjit dhe këtë e bëmë në emër të perspektivës së vendit dhe të proceseve reformatore dhe integruese, por ai nuk u mor parasysh nga treshja e sipërpërmendur. Kjo i bie se, mes një kandidati të BESËS dhe një kandidati të BDI-së, LSDM-ja vendosi të jetë me BDI-në”, deklaroi Gashi.

Gashi ka thënë se Talat Xhaferi nuk është njeri i denjë për postin e kryeparlamentarit.

“Andaj nuk mund të mos ritheksojmë se, sipas fjalës së urtë shqipe, se “Dita e mirë shihet n’sabah.”, sot përfundimisht ranë maskat për “epokën reformatore”, për “rrëzim të regjimit” dhe për “ndryshimin e kursit të vendit”. Ish ministri i Nikolla Gruevskit, i gjykuari për kërcënim me vdekje ndaj personit zyrtar më 2008, ministri që abuzonte me detyrën dhe u jepte honorarë kujt si ia kishte qejfi, për çka mori vërejtje serioze nga Komisioni për Antikorrupsion, sot propozohet të jetë emri i parë që do ta shënojë epokën e një qeverie reformatore. Nëse kështu fillojnë reformat, atëherë i bie se ne kemi perceptim të gabuar për termin reformë. Nëse me BDI-në fillon hallka e parë e reformave, atëherë – ju faleminderit – por ne nuk mund të jemi pjesë e reformave të tilla. Partia që për dhjetë vite me radhë, në vazhdimësi, ia mbante ison Nikolla Gruevskit dhe bashkërisht ishin shkaktarët e kësaj krize, që na lanë pas vetes procese të montuara politike, varfëri, shpërngulje, largim nga integrimi, “Shkupin 2014” etj., nuk mund të sjellë reforma. Nëse besojmë se ata mund të jenë reformatorët, kjo i bie që të mos besojmë në vetveten tonë”, ka thënë Gashi.

Ai shtoi se BESA mbetet e përkushtuar për agjendën reformatore të vendit dhe për kursin euro-atlantik të Maqedonisë, për implementimin e Deklaratës së Përbashkët të Partive Shqiptare në Maqedoni, por – në veçanti – për implementimin e platformës RIDEFINIMI, duke besuar se ajo është agjenda e vetme që Maqedonia të bëhet një shtet i barabartë, demokratik, funksional dhe i zhvilluar.