Maqedoni

Kotzias të enjten për vizitë në Shkup, mediat greke: Pritshmëritë jo të mëdha

Kreu i diplomacisë greke, Nikos Kotzias, këtë javë pritet që të qëndrojë në Shkup, në kthim të vizitës që homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, realizoi në Athinë.

koxias
Por, mediat greke publikojnë se pritshmëritë nga kjo vizitë janë të vogla. Sipas Ora News, e përjavshmja “To Vima” vë në dukje se pala greke do të përpiqet të lëvizë në një vijë të mesme, ku nga njëra anë nuk do të lejojë Shkupin që të përvetësojë frymën konstruktive të muajve të fundit dhe nga ana tjetër të bëjë të qartë se ende nuk janë krijuar premisat për një zgjidhje të shpejtë të mosmarrëveshjes për çështjen e emrit.
“Qeveria e re e Maqedonisë  dëshiron përshpejtimin e integrimit euroatlantik, e më së pari anëtarësimin në NATO, madje ka propozuar që ky anëtarësim të bëhet me emrin provizor të vendit, pra Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë. Por, Athina e ka kundërshtuar me argumentin se kjo bie ndesh me vendimin e Samitit të Bukureshtit të vitit 2008, ku vendet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord që Maqedonia do të bëhet pjesë e Aleancës vetëm nëse zgjidhet çështja e emrit”,- shkruan gazeta.
Ministri i jashtëm grek do të arrijë në Shkup në rrugë tokësore, përmes Selanikut, për të shmangur aterimin në aeroportin e  Shkupit, i cili prej vitit 2006 ka marrë emrin “Aleksandri i Madh”, duke shkaktuar reagimet e ashpra të Athinës që e akuzon Maqedoninë për uzurpim të historisë, njoftojnë mediat.
Sipas tyre, një nga temat kryesore të diskutimit të Kotzias me autoritetet në Shkup do të jetë pikërisht diskutimi për masat e krijimit të besimit.