Maqedoni

Kasami prezanton planin për Tetovën

Kryetari i Lëvizjes BESA, njëherit edhe kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, së bashku me bartësin e listës së këshilltarëve, Husein Rekën, mbrëmë kanë takuar banorët e lagjes Drenovec të Tetovës, ku kanë premtuar ndryshim rrënjësor duke ua prezantuar projektet dhe u premtuar banorëve të kësaj pjese ujë të pijshëm, infrastrukturë rrugore, ndërtimin e parqeve të gjelbra si dhe kthimin e kazermës në një qendër zhvillimore për Tetovën.

screenshot_1

Kasami të pranishmëve u siguroi se udhëheqja paraprake e komunës së Tetovës ka dështuar për të kthyer Tetovën në qytet metropol dhe qytet të pastër me gjelbërime. Sipas tij, me marrjen e komunës së Tetovës nga Lëvizja BESA, do jenë dy pika kryesore ku do të fokusohet, njëra do të përpilojnë plan të ri gjeneral urbanistik, si dhe zgjerim të zonës urbane në dy skajet e qytetit, njërën afër UEJL-së dhe tjetrën në territorin e kazermës së qytetit, si dhe do të rriten rrogat e administratës së komunës.

“Ne si Lëvizje BESA kemi përgatitur një plan gjithëpërfshirës për një Tetovë urbane, për një Tetovë e cila do të krijojë mundësi të reja për të gjithë qytetarët, një Tetovë e cila do të mundësojë një jetë të lirë ku do të hapen bulevardet, do të rregullohet komunikacioni dhe do të krijohen qendra të reja të ashtuquajtura pole të zhvillimit ekonomik dhe të qytetit bashkë me pjesën urbane të qytetit. Sot e kësaj dite investimi kapital për të përmirësuar ujin e pijshëm që çdo familje tetovare të ketë ujë të pijshëm 24 orë nuk është bërë. Drenoveci është lagje periferike e Tetovës, lagje e cila është e ngulfatur dhe nuk ka mundësi komunikimi me pjesët tjera të qytetit. Ideja e Lëvizjes BESA është që t’i hap të tre bulevardet kryesore dhe këto bulevarde të vinë deri në Drenovec”,- u shpreh kandidati i Lëvizjes BESA – Tetovë, Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, bartësi i listës për këshilltar të komunës së Tetovës nga radhët e Lëvizjes BESA, Husein Reka, është shprehur se papunësia në Tetovë është me e larta në RM dhe me ardhjen e Lëvizjes BESA në krye të komunës do punojnë për uljen e papunësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Duhet ta luftojmë edhe papunësinë, pasi papunësia është rritur edhe në Tetovë tej mase dhe është me e madhja në RM. Dhe lagja e Drenovecit graviton afër disa objekteve kapitale, një është stadiumi i qytetit, objekt që duhet të jetë krenari e Tetovës, objekt që do të tërhiqte shumë aktivitete ekonomike sportive”,- theksoi bartësi i listës së këshilltarëve në Tetovë nga BESA – Husein Reka.

Kasami dhe Huseni premtuan se gjatë qeverisjes së tyre me Komunën e Tetovës do të angazhohen që vendet e zbrazura që janë në qytetin e Tetovë, të cilat tani janë të shndërruar në mbeturina dhe ndërtime të egra, do t’i kthejnë ë parqe të reja dhe do të ndërtojnë qendra rekreative sportive për rinin e Tetovës.