Maqedoni

Kasami: Organet e rendit të hetojnë keqpërdorimet dhe tendencat korruptive të Teuta Arifit për blerje të votave

Teuta Arifi po vazhdon të keqpërdorur buxhetin e komunës duke kryer shërbime të gjithë atyre që i kryejnë shërbime personale. Kështu deklaroi kandidati i Lëvizjes BESA, për komunën e Tetovës, Bilall Kasami, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar harxhime marramendëse për shpenzimet e Teuta Arifit dhe stafit të saj.

bilall-1

“Gjatë kësaj periudhe katërvjeçare të qeverisjes së saj të dështuar, u evidentuan harxhime marramendëse për shpenzimet e saj dhe stafit si dhe për punësime të personave me kontratë mbi vepër, kryesisht militantë partiak dhe grupe interesi që këto shërbime ia “shpaguajnë” kryetares në ikje duke shpifur ultë për cdokënd që i zbulon dhe i shpërfaq këto fakte korruptive.
Sipas informatave tashmë të publikuara nga organizata që monitorojnë komunën, 113.6 milionë denarë janë shpenzuar për kontrata mbi vepër (1 milion e 830 mijë euro), ndërsa e pushtuar nga paniku i humbjes tashmë vijnë informata se ajo nënshkruan dhjetëra kontrata të tilla të shërbimeve mbi vepër për periudhën pesë mujore, e të cilat në fakt janë shërbime që i ofrohen vetëm asaj, e jo qytetarëve të komunës”, ka thënë Kasami.
Sipas tij Teuta Arifi bën shkelje të dyfishtë, jo vetëm duke keqpërdorur buxhetin komunal, por edhe duke shkelur kodin zgjedhor duke keqpërdorur mjetet e komunës, si dhe duke shfaqur tendencën që të korruptojë njerëz dhe të blejë votën.
“Me këtë rast pyesim publikisht, sa u kushtoi tetovarëve nga taksat e tyre një votë për këtë kryetare të dështuar? Sidomos kur këto punësime fiktive bëhen në kundërshtim të plotë me sistematizimin e vendeve të punës dhe në kundërshtim me cdo procedurë administrative.
Shfrytëzojmë rastin që t’iu bëjmë thirrje organeve të rendit që të hetojnë sa më parë këto keqpërdorime të cilat vazhdojnë gjatë katër viteve në Komunën e Tetovës, ndersa kanë arritur kulmin tani në këtë peruidhë të zgjedhjeve ku buxheti i komunës është duke u keqpërdorur pamëshirshëm nga kryetarja në ikje, Teuta Arifi. Po ashtu, zotohem se të gjitha këto të dhëna do të bëhen publike në ditën e parë të punës time si kryetar dhe të gjithë keqpërdoruesit do të vihen para drejtësisë”, ka shtuar më tej Kasami.