Maqedoni

Gruevski: Kryetari i partisë e mban përgjegjësinë më të madhe

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski në intervistë për TV Alsat-M thekson se partia që ai drejton nuk është kundër zyrtarizmit të gjuhës shqipe, por ligji për zyrtarizimin e saj të jetë në korniza të Kushtetutës.

gruevski-alsat-1

“VMRO-DPMNE nuk ka asgjë kundër përdorimit të gjuhëve të të gjitha bashkësive etnike, duke e përfshirë edhe gjuhën shqipe. LSDM dhe Zoran Zaev luajnë lojë që para zgjedhjeve lokale të ofrojnë ligj i cili është jo-kushtetues. Ky ligj do të kontestohet nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë mënyrë LSDM dëshiron të mashtrojë dhe përfitojë vota të shqiptarëve. Në fazën e parë të ligjit ne nuk mund të dorëzojmë amandamente, por në fazën e dytë këtë do ta bëjmë”, theksoi Gruevski.

Madje, Gruevski shpalosi gjithçka çfarë ka bërë për shqiptarët ndërsa u distancua nga çdo lloj proteste dhe gjuhe urrejtjeje të shprehur nga partia e tij që nga Deklarata e Partive Shqiptare, protestat që pasuan e deri në dhunën në Kuvend në 27 prill.

Sipas Gruevskit,  dhuna në Kuvend më 27 prillin e sivjetshëm nuk duhej të ndodhte, por se faj të madh për këtë kanë pasur procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Gjatë pjesëmarrjes së tij në emisionin “200”, në pyetjen  nëse është i gatshëm të japë dorëheqje nga funksioni lider i partisë nëse i humb zgjedhjet e ardhshme lokale u përgjigj se “kryetari i partisë e mban përgjegjësinë kryesore”.

Gruevski foli për 100 ditët e Qeverisë duke thënë se përveç detit të dëshirave maxhoranca e re nuk ka realizuar asgjë por vetëm e ka mashtruar popullatën.