Maqedoni

Gjykata Administrative pranoi njërën nga paditë e VMRO-DPMNE-së për zgjedhjet lokale

Gjykata Administrative e pranoi një nga 28 paditë e parashtruara kundër ankimimeve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për votimin dhe grumbullimin e rezultateve nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale.

gjykataadministrative

Gjykata Administrative vendimet për të gjitha 28 paditë, që i morën këshillat gjykues, i publikoi në internet faqen e saj.

Gjykata Administrative e pranoi një nga paditë e koalicionit të kryesuar nga VMRO-DPMNE për ryshfet të votuesve në zgjedhjet për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit në vendvotimin 2461 në komunën e Sarajit.

Pas marrjes së vendimit nga Gjykata Administrative, KSHZ duhet të prononcohet nëse rivotimi në këtë vendvotim do të ketë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve dhe nëse në bazë të kësaj do të ketë rivotim në këtë vendvotim në Saraj.

Vendimet e Gjykatës Administrative janë përfundimtare.

Pas ankesave të refuzuara nga KSHZ-ja, koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE dorëzoi 24 padi  në  Gjykatën Administrative dhe nga një dorëzuan edhe TMRO, e Majta dhe Aleanca për Shqiptarët.

Për paditë e partive vendosin pesë këshilla gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, të zgjedhur me short. Gjykata Administrative një pjesë të vendimeve i publikoi gjatë ditës së djeshme, por për shkak të problemeve me sistemin TI, siç u bë e ditur nga gjykata, 12 vendimet e mbetura u publikuan mbrëmë.

Më 29 tetor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për zgjedhjen e kryetarëve në 35 komuna.