Maqedoni

BDI, PDSH dhe RDK e Vesel Mehmedit, një koalicion i mundëshëm në zgjedhjet lokale

Në prag të zgjedhjeve lokale të tetorit është i mundur një koalicion midis BDI-së, PDSH-së dhe RDK-së së Vesel Mehmedit, ndërsa është i pamundur një koalicion midis LR-PDSH-së dhe Lëvizjes BESA për shkak të antagonizmave midis këtyre dy forcave politike, thonë analistët politik për Zhurnal.mk

partite

“Kur kanë mundur dy parti të konfrontuara skajshëm sic janë LDK dhe PDK të qeverisin bashkë kur dukej thuajse e pamundur, çdo gjë tjetër është e mundshme. A mund kjo të ndodhë edhe në Maqedoni? Sigurisht që po. Në parim secila parti është autonome të veprojë vetëm dhe mund të koordinohen për një bashkëveprim në zgjedhjet lokale me një koalicion të përbashkët në zgjedhjet lokale. Askund nuk shkruan që e kanë të ndaluar të  mos bëjnë koalicione BDI dhe PDSH ashtu siç nuk shkruan që kjo të ndodhë edhe në një koalicion midis BESËS dhe LR-PDSH-së. Por është tjetër gjë që partitë shqiptare kanë ndarje të thella mes tyre”, thekson Urim Saliu, analist politik për Zhurnal.mk

Midis një koalicioni e them hipotetikisht, shton ai, midis PDSH-së, BDI-së dhe RDK-së së Vesel Memedit dhe koalicionit që për momentin duket i pamundshëm midis BESËS dhe LR-PDSH-së , unë më të mundshëm e shoh atë të parin.

“Më shumë në politikë është çështje përvoje se sa vlerash. Por ajo që është më e vështirë të ndodhë në Maqedoni janë fitoret e kandidatëve të pavarur që ka ndodhur vetëm njëherë me Rufi Osmanin dhe menjëherë më pas ai humbi ndjeshëm. Kjo për shkakun sepse partitë kanë pozicione më të forta, janë më të organizuara  dhe akoma nuk ka një vetëdijësim që të zgjidhet për opcion një kandidat me kredibilitet intelektual. Kandidatë të pavarur mund të kenë shanse fitoresh vetëm nëse janë biznismenë të fuqishëm ose në të kundërtën s’mund t’a dalin mbanë”, vlerëson Saliu.

Nga ana tjetër, Shpëtim Pollozhani njohës i mirë i rrethanave politike në Maqedoni thotë se duke e marrë parasysh faktin se, partitë politike janë grupime interesi, kur janë në pyetje perfaqësuesit politik shqiptar, çdo gjë është e mundur.

“Një koalicion ndërmjet PDSH, BDI dhe Veselit është shumë i natyrshëm, pasi që BDI dhe PDSH kanë qenë në një koalicion të heshtur dhjetë vjetet e fundit. Në këto zgjedhje lokale më i natyrshëm do të kishte qenë një koalicion ndërmjet Besës dhe LR-PDSH-së”, thotë Pollozhani për Zhurnal.mk