Maqedoni

ANALISTËT: Zaev tenton të krijojë parti multietnike- jo shtet multietnik

Sipas njohësve të rrethanave, tashmë në sipërfaqe kemi një tendencë të re të quajtur si “Zaevizëm” e që për fat të keq për shqiptarët është vetëm një zëvendësim i “Gruevizmit” të deritashëm.

screenshot_20171027-085201

Mënyra e veprimit dhe qasja e kryeministrit Zoran Zaev nuk është asgjë tjetër përveç se një dëshpërim i madh për votuesit e tij, në veçanti ata shqiptarë që e përkrahën gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare.

 Kështu thotë profesori Ali Pajaziti, sipas të cilit tashmë në sipërfaqe kemi një tendencë të re të quajtur si “Zaevizëm” e që për fat të keq për shqiptarët është vetëm një zëvendësim i “Gruevizmit” të deritashëm.

“Kemi një koalicion me BDI-në ku kemi tendenca të bllokut politik maqedonas, gjegjësisht partisë më të fortë maqedonase LSDM-së për të zaptuar hapësirën politike shqiptare. Unë këtë e kam quajtur edhe si kolonizim të hapësirës politike shqiptare gjë që nuk është e natyrshme. Kryeministri duhet të mbetet asnjanës, ai është i pari i të gjithë qytetarëve dhe duhet që t’i lë shqiptarët të pavarur pasi ne nuk jemi komunitet që nuk dimë të bëjnë politikë”, thotë për MEDIAL.mk, profesori Pajaziti.

Ndërkohë, analisti politik Alajdin Demiri thotë se LSDM në krye me Zoran Zaevin nëse vërtetë janë për një bashkëjetesë të mirëfilltë, duhet që njëjtë sikur partinë e tyre “multietnike” ta bëjnë të reflektojë dhe shteti.

“Fenomeni LSDM dhe fenomeni Zaev ofron një mjegull me të cilën mjegull tenton të bëjë parti multietnike dhe nuk dëshiron të bëjë shtet multietnik dhe me këtë gjë ai ka hutuar disa struktura të cilat tash tentojnë të riorientohen nga LSDM-ja, ose e kundërta BDI kërkon vota nga LSDM-ja. Kjo është një gjendje kaotike e politikës, pasi që politika është e paqartë dhe e pa definuar, nuk ka ofertë për shtet multietnik, por kërkojnë parti multietnike vetëm për efekte hëpërhë”, thekson për MEDIAL.mk, analisti Demiri.

Pajaziti dhe Demiri janë në linjë të njëjtë kur bëhet fjalë për “tifozllëkun” e njëanshëm të Zaevit vetëm për njërin partner të koalicionit. Ata thonë se ky interferim i Zaevit më shumë do të dëmton partinë politike shqiptare në pushtet dhe do ta shpie atë në një pozitë shumë të disfavorshme karshi elektoratit shqiptar në të ardhmen.

“Ndoshta ky kurs i tij mund të sjellë rezultate afatshkurtra, por në një afat më të gjatë kujtoj se Zaevi ka rrënuar imazhin e vet politik tek shqiptarët dhe investimin që ai e ka bërë për të fituar simpatitë e shqiptarëve. Me këtë U-Turn që ai ka bërë, pra me përkrahjen e kandidatëve të njërës parti politike të cilët deri dje ai i ka atakuar dhe etiketuar, mendoj se ka dërmuar figurën e tij politike”, shton Pajaziti.

“Kjo politikë e këtij bashkëpunimi mos të them kolaborimi të pakushte i ka shërbyer Zaevit vetëm për disiplinimin e shqiptarëve, uljen e kërkesave të shqiptarëve dhe zhbërjen e substancës politike. Në këtë ata nuk llogarisin, por unë mendoj se kjo do të prodhohet”, pohon tutje Demiri.

Analistët politik vlerësuan se Zaevi përmes kësaj strategjie të veprimit do t’i ndihmojë shqiptarët që të formojnë një parti homogjene shqiptare e cila si parim bazë do të ketë kërkesat reale politike, ekonomike dhe kulturore.